Totenhemi hedh hap fals në garën për titull, Murinjo: E prisja!

Një barazim që mund të prishë shumë punë, ndonëse rruga deri në përfundimin e sezonit është ende e gjatë. Totenhemi i Zhoze Murinjos hodhi një hap fals në garën për titull me Liverpulin dhe rivalët e tjerë, duke barazuar 1-1 në fushën e Kristël Palasit, ndërsa trajneri portugez theksoi se një përfundim i tillë ishte parashikuar prej tij. Harri Kejn i dha epërsinë “gjelave” në pjesën e parë, por pikërisht në minutat e fundit, vendasit barazuan me anë të Shlupit. Që të dy golat në këtë derbi të Londrës erdhën nga gabimet e portierëve Guaita dhe Joris.

“Unë jam trajner me përvojë në futboll dhe në Premier Ligë, – u shpreh Murinjo, – e prisja që një gjë e tillë mund të ndodhte dhe ja që ndodhi. Ua thashë lojtarëve në pushim se duhej të vazhdonim të krijonim raste, të shënonim gol tjetër, sepse Palasi është ekip që hedh topat e gjatë në zonë dhe të ndodhë çfarë të ndodhë. Ju e patë që ndodhi”.

Totenhemi këtë herë pari më shumë zotërim topi (57 për qind), ndryshe nga ndeshjet e kaluara sidomos në krahasim me derbin ndaj Arsenalit kur e patën vetëm 31 për qind. Gjithsesi, skuadra e trajnerit Roi Hoxhson iu përgjigj dhe pati më shumë gjuajtje drejt portës. Në fund, Spërsat mund ta kishin fituar ndeshjen, por portieri vendas, Guaita, bëri pritje të madhe. Totenhemi ka 25 pikë, vetëm 5 më shumë sesa Mançester Junajtidi e 6 më shumë sesa Siti, që kanë ende nga një ndeshje më shumë për të luajtur. Kjo tregon se çfarë rivaliteti ka këtë sezon në Premier Ligë.

Sfidanti.al