Milani, “me bukë në trastë” drejt synimit për titullin kampion!

Stefano Pioli është një lider tolerant edhe pse me rregulla të forta. Trajneri i Milanit e ka bërë fakultativ grumbullimin në qendrën stërvitore në Milanelo, por gjithsesi ka vendosur kusht që lojtarët duhet të ushqehen sipas menusë së klubit. Siç raportojnë mediat italiane, futbollistët që zgjedhin të kalojnë natën në banesat e tyre, marrin me vete pakot me ushqimin e përgatitur në Milanelo, që përmban lëngun (supën) gati për t’u ngrohur, si dhe pulë apo salmon. Gjithçka në gramaturën e përcaktuar, sepse ushqimi është një nga faktorët kryesorë për rendimentin sportiv.

Sa për ndeshjen e sotme në “San Siro” ndaj Parmës, Pioli siguron se Ibrahimoviç e Kjer nuk janë ende gati (do të luajnë ndaj Xhenoas), ndërsa kërkohen golat nga sulmuesi Ante Rebiç. Deri tani, tek Milani kanë shënuar 13 lojtarë të ndryshëm dhe kjo është gjë e mirë, por kroati nuk e ka shënuar ende emrin e tij. “Kemi besim”, – thotë Pioli, ndërsa synohet të mbyllet viti në vend të parë, diçka që nuk ndodh që nga viti 2010.

Sfidanti.al