Nuk thoshte kot Kasemiro se Reali di t’i fitojë finalet!

Nuk janë të tilla në kuptimin e plotë të fjalës, por kanë qenë pikërisht ndeshje përcaktuese duke nisur nga 1 dhjetori. Reali i Madridit ishte me shpatulla pas muri për shkak të humbjeve me Alaveshin në La Liga e Shahtarin në Champions, në prag të eleminimit nga Europa dhe dështimi në Spanjë, por arriti të reagonte. Trajneri Zidan, që u mendua si i shkarkuar, tashmë është në pozita shumë më të forta.

Fitorja 2-0 në derbin ndaj Atletikos, erdhi pas suksesit 1-0 në fushën e Seviljes po në La Liga, si dhe në suksesin 2-0 në Madrid ndaj Borusias së Mynshengladbahut. Tetë ditë triumfale për madrilenët që e mbyllën fazën e grupeve në Champions në vend të parë, dhe që janë vetëm 3 pikë prapa Atletikos në kampionat, ndonëse kanë luajtur një ndeshje më shumë. Duke i shtuar dy fitoret ndaj Interit po në nivel europian, atëherë “panorama” bëhet e plotë. Nuk mund të themi se Reali i Zidanit po shkëlqen, por po tregon karakterin dhe cilësitë që ka. Jo më kot, Kasemiro thoshte se “ne i fitojmë gjithmonë finalet”, dhe deri tani fjalët e tij kanë dalë të vërteta.

Sfidanti.al