Duhej të kishte qenë “tym e flakë”, një luftë e vërtetë në një ndeshje që nënkupton pikërisht betejën. Roi Kin, ish-kapiteni legjendar i Mançester Junajtidit, mbeti i zhgënjyer dhe u tërbua kur ndoqi një sfidë me Mançester Sitin që pati më shumë përqafime dhe fjalë të bukura sesa përplasje për topin. “Në një derbi të Mançesterit pati vetëm dy kartonë të verdhë, – deklaroi ai si analist i “Skaj Sportit”, – kurrë më parë nuk kam shikuar kaq shumë përqafime dhe biseda në një sfidë të tillë”. Dy ekipet e mbyllën duelin e Premier Ligës në barazim 0-0, rezultat që nuk është se i ndihmon shumë në luftën për titull, dhe i cili mund të nxjerrë më të kënaqur Sitin e Pep Guardiolës. “Derbi ishte i dobët, – tha Kini, – lojtarëve u mungoi dëshira dhe vendosmëria, sepse cilësia është e madhe për të dyja skuadrat. Jam shumë i zhgënjyer sepse futbollistët duhet të luftojnë për ta fituar një ndeshje futbolli”. Ky rezultat bën që Junajtidi të ketë 20 pikë në 11 ndeshje, ndërsa Siti 19, duke qenë ende prapa kreut.
Sfidanti.al