Në Itali ekzistonte frika se në Madrid do të mund të “kurdisej” diçka që të kualifikonte edhe Realin, edhe Gladbahun, dhe të eleminonte Interin. Nuk qe nevoja, pasi zikaltërit e eleminuan vetë veten e tyre, duke mos mundur të “pushtonin” “Kalanë Shahtjar”, dhe madje përfunduan në vendin e fundit në grup. Eleminim nga Championsi, eleminim edhe nga Europa. Një shtyllë e Lautaro Martinezit në fillim, një pritje e jashtëzakonshme e portierit ukrainas Trubin ndaj Lukakut, dhe një rast i pastër i Sançezit ishin momentet më të mira për vendasit.
Reali, ndërkaq, bëri detyrën ndaj Borusias së Mynshengladbahut duke e kontrolluar siç duhet ndeshjen e fundit në grup. Karim Benzema ishte autor i dy golave, ashtu siç pritej, duke qenë sulmuesi më në formë madrilen. Në një grup shumë të fortë, Shahtari u eleminua ndonëse i mori dy barazime Interit dhe dy fitore Realit. Fatale për ukrainasit u bënë dy humbjet e rënda me gjermanët. Duke u kthyer tek Interi, ky eleminim mund ta ndihmojë skuadrën milaneze që të luftojë me të gjitha forcat për fitimin e Serisë A për herë të parë që nga koha e Zhoze Murinjos.
Sfidanti.al