Suksesi në Ligën e Europës ishte i merituar dhe madje duke treguar karakter të madh, por jo gjithçka paska kaluar mirë për Milanin. Mediat italiane theksojnë se drejtuesit e klubit si Maldini dhe Gazidhis, kanë nxjerrë edhe disa përfundime negative, pasi pati lojtarë që nuk bindën, ndërsa duhen përforcime.
Pas paraqitjes së dobët, thuhet se do të largohet mesfushori Rade Kruniç. Edhe për shkak të dëmtimit të danezit Kjer, Milani pritet të synojë që në janar mbrojtësin Ëzan Kabak të Shalkes, për të cilin ka interesim edhe nga klube të tjerë. Gjithsesi, synohet një tjetër sulmues i rëndësishëm, edhe pse në moshë të madhe, 34-vjeçari francez Olivie Zhiru i Çelsit.
Trajneri Stefano Pioli nuk dëshiroi të fliste për shitblerjet, por vetëm për paraqitjen e ekipit të tij. “Ndeshja na dha disa informacione interesante, – tha ai, – nuk është se e nisëm keq në aspektin e mentalitetit, por bëmë gabime që shkaktuan golat. Duhet të jemi gjithnjë sa më të saktë teknikisht. Gjithsesi, mësova se skuadra është e fortë nga ana psikologjike, nuk e humb lehtë besimin tek vetja dhe luan deri në fund”.
Sfidanti.al