Egbo tani zgjedh ofertat, ish-trajneri i Tiranës pranë kthimit në Superligë!

Me gjasë do ta shohim shpejt në stol. Emanuel Egbo vërtet u shkarkua nga Tirana që pas javëve të para të sezonit, por duket se ofertat për të nuk mungojnë. Burime pranë ish-trajnerit bardheblu pohojnë se 47-vjeçari ka disa mundësi për të vazhduar karrierën në Superligën shqiptare, dhe njëri nga klubet që e kërkon është Laçi. Vetë Egbo nuk deshi të tregonte konkretisht se me kë po bisedon, por pranoi se ka disa oferta dhe se do të mendohet për të zgjedhur atë që do t’i duket më e përshtatshme. Laçi kërkon njeri për stolin pasi u nda me marrëveshje me Armando Cungun.

Egbo arriti një sukses të madh sezonin e kaluar, ndërsa mori në duar Tiranën në muajin dhjetor të vitit 2019. Ai udhëhoqi kryeqytetasit drejt titullit të parë kampion pas 11 vjetësh, që ishte edhe titulli i 25-të në histori dhe që u arrit në 100-vjetorin e themelimit të klubeve. Më pas, tekniku drejtoi tiranasit në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Europës, duke eleminuar Dinamon e Tbilisit, dhe duke u mundur pa fat nga Crvena Zvezda në “Arenën Air Albania”. Në edicionin e ri, Egbo pati një fitore dhe një humbje në Superligë, ndërsa u eleminua nga Korabi i Peshkopisë në turin e dytë të Kupës.

Sfidanti.al