Kështu e prezantoi presidenti Florentino Perez legjendën e klubit, Zinedin Zidan. Sapo ishte shkarkuar Rafa Benitez, dhe miliarderi mendoi se nuk do të gjente kandidaturë më të mirë sesa francezi. “Unë jam i lumtur që trajneri ynë do të jetë një njeri për të cilin nuk ekziston fjala “e pamundur”, – theksoi Perezi atëbotë. Kanë kaluar shumë vite dhe me Zizunë janë fituar 3 Champions e 2 La Liga, diçka vërtet e madhe që e bën të krahasueshëm me Migel Munjozin e Visente del Bosken, e për këtë arsye është shumë e vështirë për t’u ndarë nga ai.
Pavarësisht rrezikut të madh që i kanoset skuadrës në Champions dhe në kampionat, sërish pritet që presidenti të mos nxitohet, pavarësisht se mediat kanë nisur ta shkruajnë “nekrologjinë” e trajnerit. “Për dy javë vendoset fati i Realit dhe i Zidanit, – shkruajnë ato, – trajneri përcakton fatin në 3 ndeshje”. As mos e mendoni! Edhe nëse Reali e mbyll sezonin pa trofe (siç edhe duken “bathët”), sërish presidenti do të presë fundin për të dhënë vendimin. Zidani nuk është një emër kaq, është një legjendë, ndaj edhe do ta ketë të gjithë kohën e nevojshme, por nuk duket se ka skuadrën e duhur.
Sfidanti.al