Reali dhe Interi mund të dalin të parët, por edhe të fundit!

Grupi B doli më i vështiri nga të gjithë, dhe dy gjigandë të Europës e kanë punën pisk. Reali i Madridit mori një goditje të rëndë në Ukrainë duke u mundur 0-2 në Kiev nga Shahtari i Donjeckut, ndërsa Interi i Milanos vërtet fitoi në Gjermani ndaj Borusias së Mynshengladbahut, por mbetet në vend të fundit. Një grupi ku skuadra e vendit të parë mund të dalë e fundit, dhe ajo që është në bisht të dalë në krye.

Shahtari, edhe pse nuk luante në Donjeck dhe edhe pse nuk pati tifozë, nuk e pati problem ta mposhtte Realin për herë të dytë këtë sezon. Shifrat 2-0 u arritën nga golat e Dentinjos në 57’ dhe Manor Solomonit në 82’. Një përngjashmëri me triumfin e dikurshëm të Dinamos së Kievit ndaj Barcelonës në 1997 (4-0 e 3-0). Madrilenët e Zidanit zhgënjyen sërish pas turpit në La Liga me humbjen 1-2 në shtëpi ndaj Alaveshit.

Interi e bëri këtë herë heroizmin duke arritur fitoren e parë, por u desh sërish Romelu Lukaku. Pasi Mateo Darmian shënoi për italianët në 17’, Alasan Plea barazoi në fund të pjesës së parë, dhe pastaj hyri në skenë belgu. Lukaku realizoi në 64’ e 73’, dhe nuk mjaftoi për Gladbahun goli i dytë i Pleas. Pas këtyre rezultateve renditja është kjo: Gladbah 8 pikë, Shahtar Donjeck 7, Real Madrid 7, Interi 5.

Nëse Reali fiton ndeshjen e fundit në Madrid me Gladbahun, dhe Interi mund Shahtarin në Milano dy ekipet kualifikohen. Nëse Reali fiton dhe Shahtari barazon me Interin, kalojnë madrilenët dhe Gladbahu. Nëse Reali fiton dhe Shahtari fiton, ukrainasit dalin në vend të parë dhe spanjollët të dytët. Nëse Reali barazon dhe Shahtari barazon, kualifikohen Gladbahu dhe ukrasinasit, nëse Reali barazon me Shahtari fiton sërish kualifikohen Gladbahu e ukrainasit. Nëse Reali barazon dhe fiton Interi, kalojnë Reali dhe Gladbahu. Nëse gjermanët fitojnë në Madrid, Reali eleminohet, dhe ekipi i vendit të dytë përcaktohet nga dueli Inter-Shahtar. Pra, që të gjitha mundësitë janë në lojë.

Sfidanti.al