Konte ëndërron me Lukakun “në formën më të mirë të jetës”!

Vetëm Robert Levandovski (18) dhe Erling Haland (16) kanë shënuar më shumë sesa ai në Europë këta dy vjet. Romelu Lukaku është, siç e quan “Il Korriere delo Sporti”, “floriri i Kontes”, ndërsa dygolëshi i tij dha fitoren Interit në Gjermani në Champions. Sulmuesi belg ka 13 rrjeta në kontinent në 2019-2020, ka 11 gola në sezon, dhe ishte ai që i dha shpresë zikaltërve se mund të kualifikohen për në turin tjetër.

“Unë jam një nga 25 lojtarët e ekipit, – tha me modesti ai pas ndeshjes ndaj Gladbahut, – tek Interi ka lojtarë me më shumë përvojë sesa unë, dhe thjesht dua që të jap ndihmën time. Kurrë Interi nuk ka qenë më i fortë sesa tani, por nuk duhej të kishim pësuar gola të tillë. Në 3-1 duhej ta kishim mbyllur ndeshjen. Unë po luaj futbollin më të mirë të jetës sime, falë stafit teknik të Interit”.

Sfidanti.al