Vdekja e Maradonës, ‘Daily Star’ thumbon ende, në faqen e parë: Ku ishte VAR?

Ka anglezë që nuk e kanë harruar cerekfinalen e Botërorit të vitit 1986 ku Diego Armando Maradona u bë protagonist absolut duke eliminuar Anglinë me fanelën e Argjentinës. Ishte një ndeshje që bëri historinë me një rezultat 2-1 që të gjithë e kujtojnë; dy gola të El Pibe De Oros; më i bukuri është gjithnjë ai i mbiquajtur ‘Dora e Zotit’. Në këtë mënyrë tabloidi ‘Daily Star’, në ditën e ndarjes nga jeta të Maradonës, preferoi të publikojë në faqen e parë me një titull që stonon: ‘Ku ishte VAR kur kishim më shumë nevojë?’.

Por redaksia e ‘Daily Star’ nuk ishte e vetmja që vazhdon të ndjejë gërryerjen përbrenda për cfarë ndodhi në 1986. Edhe portieri i Anglisë në atë kohë, Peter Shilton nuk ia ka falur asnjëherë Maradonës golin me dorë dhe këtë ai e shprehu në një intervistë për median britanike.

‘Maradona është futbollisti më i madh me të cilin jam përballur-pranoi Shilton në një intervistë për ‘Daily Mail’-por ajo që nuk më pëlqën është se nuk kërkoi kurrë ndjesë. Nuk pranoi kurrë se mashtroi dhe nuk ka thënë se do t’i pëlqente të kërkonte ndjesë. jeta ime për shumë kohë u lidh me Diego Armando Maradonën dhe jo në mënyrën që do të doja, por trishtohem me lajmin e vdekjes së tij në këtë moshë kaq të re’.

sfidanti.al