Nuk ka qytet të qajë për yllin e futbollit, sa Napoli për Maradonën!

Qindra e qindra njerëz u nisën dalë nga dalë, që atje ku i kishte zënë pasditja vonë e kësaj të mërkure, me një pikëmbërritje të përbashkët. Më saktë, me dy të tilla. Napolitanët u grumbulluan valë-valë tek dy muralet e krijuara në qytetin e tyre të vjetër, të dashur e hallemadh, për nder të Diego Armando Maradonës. Atje, ata u vunë në radhë në heshtje, shumë prej tyre me lot në sy, e me qirinj specialë nëpër duar për të përkujtuar legjendën e sapovdekur.

Në raste të tilla, edhe ata që nuk besojnë në vazhdimësinë e jetës thonë “mirë u takofshim në Eliz”, siç thoshin gladiatorët e Spartakut ndërsa binin në betejat ndaj legjioneve romakë. Një ndjenjë kjo ndoshta vetëm paksa më pak e fortë sesa ajo e një prindi për fëmijën e humbur. E kush nuk dëshiron të takohet me Diegon, në një jetë të mundshme të përtejme, që ndoshta shkenca mund të na e vërtetojë që ekziston, ashtu siç po përpiqet të vërtetojë parashikimin madhështor të Ajnshtajnit, të kthimit prapa në kohë!

Po, asnjë qytet nuk mund ta qajë një njeri më shumë sesa Napoli, Maradonën. Një lloj Garibaldi që luftoi për lirinë e qytetit, që luftoi për famën e tij, që e dinte se përse napolitanët e donin vendbanimin e tyre, që quhej “qyteti i këngës” (citta canora), një lloj Qyteti i Përjetshëm krejt në llojin e vet, i ndryshëm nga Roma, por po aq i përbashkët në fatin e tyre në raport me kryeqendrat e pasura të Veriut si Milano, Torino, Verona, Venecia, Firence apo Gjenova.

Me Maradonën, Napoli fitoi dy tituj kampionë në 1987 e 1990, të vetmit në një histori që nisi 61 vjet më parë, dhe që po vazhdon edhe 30 vjet më pas. Nuk dihet se kur mund të fitohet një tjetër. Qyteti nuk pati kurrë forcë financiare të tillë për të tërhequr kampionë si Juventusi, Interi e Milani në Itali, apo Reali e Barcelona në Spanjë. Maradona ishte një përjashtim, dhe Kareka apo Alemao erdhën në “San Paolo” prej Diegos. Që futbollisti më i madh i botës të shkojë në një skuadër jo më të madhen, duke rrezikuar karrierën, dhe pastaj ta bëjë atë skuadër më të fortën në vend, kjo është një arritje që, megjithë respektin për Pelenë, Mesin apo Ronaldon, nuk e ka bërë askush tjetër. Diego është i vetmi që nxorri Napolin kampion, dhe i vetmi që nxorri Argjentinën kampione bote me një skuadër mesatare, ndryshe nga ajo e 1978-ës me Pasarelën, Ardilesin, Kempesin, Filiolin e të tjerë. Ai fitoi Kupën e Italisë dhe Kupën UEFA, dhe kjo e fundit nuk është fituar më kurrë nga Napoli. Siç shkruhet anekënd botës, nëse për njerëzimin Maradona është një legjendë, për Napolin ai është vetë Zoti.

Sfidanti.al