Është shumë i shqetësuar dhe dëmtimet që po i ndodhin e kanë një shpjegim. Jurgen Klopi mendon se ky është një sezon vdekësor për futbollin, që do të ketë shumë më tepër lojtarë të lënduar, nëse nuk do të merren masa. Trajneri i Liverpulit këmbëngul me forcë që të ketë 5 zëvendësime për ndeshje, siç pati në fundin e sezonit të kaluar, sepse koha për të pushuar ka qenë e paktë. “Në kushte normale, dhjetori dhe janari kanë qenë të tmerrshëm, – thotë ai, në intervistë për “Deili Meilin”, – ndërsa tani jemi në kushte Kovidi, dhe tetori është si dhjetori, nëntori si janari, ndërsa dhjetori e janari do të jenë sërish të vështirë, plus shkurtin. Kemi 4 javë më pak në këtë sezon, me të njëjtin numër ndeshjesh. Duhet vendosur për 5 zëvendësime për ndeshje”. Liverpuli ka qenë skuadra më e goditur në Europë me shumë futbollistë jashtë si Van Dajk, Henderson, Gomez, Aleksandër-Arnold, Tiago Alkantara dhe Fabinjo, ndërsa Salah mungon për shkak të koronavirusit.
Sfidanti.al