Është Milani i të rinjve. Për të siguruar një të ardhme të ndritur kuqezinjtë kanë siguruar shumë talente disa prej të cilëve kanë shpërthyer si Theo Hernandez. Të tjerë vijnë nga skuadrat e të rinjve dhe rendimenti i tyre konfirmon edhe njëherë punën e mirë të bërë në Akademinë e kuqezinjve; Gabbia e Pobega janë një shembull i mirë ashtu sic është padyshim edhe Donnarumma.
Por pavarësisht kësaj, drejtuesit e Milanit duan të përforcojnë mbrojtjen me një element që t’i japë më shumë eksperiencë të gjithë skuadrës. Sipas tabloidit ‘Daily Mail’, Milan është në ndjekje të një prej mbrojtësve më të mirë në Evropë me një palmares legjendar; Një Kupë të Anglisë, 5 Superkupa të Gjermanisë, 8 tituj të Bundesligës, 5 Kupa të Gjermanisë, 2 Champions League, 2 Superkupa UEFA, 1 Botëror Klubesh dhe 1 Botëror me kombëtaren gjermane.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e Bayernit të Mynihut, Jerome Boateng i cili nuk do të rinovojë kontratën me klubin bavarez që do të thotë se në verë do të jetë i lirë të zgjedhë një etapë të re në karrierën e tij. Në këtë pikë, Maldini e Massara shpresojnë që ai të zgjedhë ngjyrat kuqezi.
A do të jetë goditja e merkatos së janarit? Vështirë ta thuash, por me siguri skuadra e Flick do të dojë një dëmshpërblim për largimin e futbollistit. Në këtë rast Milani do të duhet të vendosë nëse do të duhet të shpenzojë menjëherë për blerjen e Boateng apo të presë ta marrë atë gratis në fund të sezonit.
Sido që të jetë cdo lëvizje është e lidhur me dy faktorë. I pari është të bindet Boateng për projektin e mirë të Milanit dhe faktori i dytë është kualifikimi në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Arsenal, Tottenham dhe Chelsea janë aty, pasi edhe këto klube duan ta marrin atë me parametra zero. Por Milani dhe Massara duket se kanë një aleat të papritur, vëllain e Jerome, Kevin Prince Boateng që ka mbetur një tifoz I Milanit dhe mund të ndihmojë kuqezinjtë për të bindur mbrojtësin e Bayernit që të zgjedhë skuadrën milaneze.
Sfidanti.al