Fitorja e Kombëtares ndaj Bjellorusisë ishte vërtetë e vlefshme për ne, kryesisht në aspektin moral. Që nga edicioni i ardhshëm do të jemi në një Ligë me skuadra të vërteta, por për të përsëritur sërish suksesin e kualifikimit në Europianin e Francës do të na duhet të bëjmë shumë më tepër, kryesisht edhe në anën sportive. Skuadra jonë përfaqësuese nuk ka shkëlqyer as ndaj kundërshtarëve modestë të grupit tonë, por gjithsesi përfundimi në vendin e parë beri të dukshme një lloj arrogance të sikletshme, nga të rinj dhe të thyer në moshë. Kështu, vetë trajneri nxitoi ta hiqte maskën e babaxhanit, që e mbante nën atë anti-Covid dhe tregoi e i kishte mbajtur në shpirt të gjitha kritikat e specialistëve shqiptarë për skemën e tij statike dhe me këtë rast i shfryu në formë mllefi. Ndërkohë që fillimisht u konsiderua si pensionisti më novator, pasi krijoi idenë se do të vazhdonte me rinovimet për të pasur së shpejti një skuadër ndryshe, por nuk bëri tjetër, veçse mendoi për rezultatin e tanishëm dhe thirri sërish njohjet tona të vjetra.
Ndërsa pjesa më “interesante” e siparit të këtij turneu miqësor ishin pasojat që la në fushën e stadiumit tonë Kombëtar. Mjafton të ndiqje minutat e fundit të luajtura në atë impiant, për të kujtuar me humor dedikimet poetike që iu bënë në ditët e para të inaugurimit. U etiketua si ndërtimi i shekullit, një mrekulli europiane, ku vetëm numri i ndënjseve ishte i kufizuar. Në fakt konfirmoi se është thjeshtë një fasadë, ku funksioni sportive nuk ka qenë asnjëherë i një rëndësie të veçantë. Dhe për ta bërë shfaqen propagandistike sa më të bujshme, mbi këtë fushë të thyeshme si një xham i hollë, u prenotuan të luheshin disa Superkupa të Europës dhe për më tepër, gjithmonë kemi qenë një hap larg. Ndërsa tani, pas fitores ndaj Bjellorusisë u entuziazmuam më shumë për 1 milionë eurot të fituara nga Federata, ndërkohë që duhet të pyesim çdo ditë, se sa miliona gëlltiti “mrekullia” me gropa në mes të Tiranës.