Në Hungari kanë nisur ta krahasojnë që tani me legjendën më të madhe të vendit, dhe njërën nga më të mëdhatë në botë, Ferenc Pushkashin. Lotar Mateusi, ndërkaq, ish-kapiteni i Bajernit dhe i Gjermanisë, po bën një krahasim më të vonshëm për Dominik Soboslain, pasi i ngjan me Kai Havercin. i tillë apo i atillë, kjo do të shihet gjatë karrierës, por lajmi është që klubet që po interesohen për talentin 20-vjeçar hungarez kanë fituar një rival të madh. Bashkë me Realin, Arsenalin dhe Milanin, në garë tani është edhe Bajerni i Mynihut.
Mesfushori i Red Bullit shënoi një gol individual ndaj Islandës, duke ndihmuar Hungarinë të kualifikohej për në Euro 2021, dhe spekullimet për të ardhmen e tij janë të mëdha. “Një lojtar i madh që herë luan në qendër, herë në krah, – thotë Mateus, – në Hungari e krahasojnë me Pushkashin, mua më duket se luan si Haverci. Çdo klub i madh në Europë e ka në listë, po ashtu edhe Bajerni”. Përderisa ai luan në Austri, bavarezët kanë shanse edhe më të mëdha për ta marrë, ndonëse Salcburgu ka lidhje direkte me Lajpcigun, jo me Bajernin.
Sfidanti.al