Nëse arrin të ndalë Levandovskin, Konte paska një “xhevahir” tek Interi!

Është mbrojtës i qendrës, është në moshë të re dhe duket se ka një të ardhme të madhe përpara vetes. Në moshën 21-vjeçar, Alesandro Bastoni kaloi në provë të vërtetë në sfidën Itali-Poloni, duke u gjendur përballë Robert Levandovskit e duke e ndalur. Ndoshta do të kishte qenë më e vështirë nëse sulmuesi do të kishte qenë me Bajernin, por sërish një 21-vjeçar që ia del ndaj një klasi të tillë botëror tregon shumë. Në Itali po flasin se Interi ka një “flori” të vërtetë, diçka që e lumturon Antonio Konten. Trajneri zikaltër kënaqet më shumë me faktin se Bastoni do të ketë mundësi të marrë përvojë të çmuar në radhët e Të Kaltërve, duke luajtur në nivelet më të larta, dhe kjo do të ndihmojë Interin. “Trajneri duhet të ketë sy, – thotë Konte, – shikon një djalosh dhe kupton se çfarë mund të bëhet. Tek Bastoni unë këtë e pikasa”.

Sfidanti.al