Ç’po ndodh me Strakoshën? Edhe atje po bëhen lëmsh testet e Kovidit!

Është apo nuk është i sëmurë? Në Itali është bërë çështje tampon i portierit të Lacios dhe të kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha. Pak pas mesnate, lajmet në media ishin që gardiani i portës kishte dalë pozitiv me Kovid 19, pasi testet u analizuan për së dyti, ndërsa dy shokët e ekipit, Imobile e Lukas Leiva dolën negativë.

Ky lajm u hodh poshtë disa orë më vonë, ndërsa prokuroria ka sekuestruar 95 tamponë të Lacios, ndërsa ka nisur hetim për falsifikim nga ana e klubit italian. Njoftohet se ende nuk ka përgjigje për Strakoshën, nëse është apo jo i infektuar. Gjithsesi, 25-vjeçari nuk është bashkuar me kombëtaren për miqësoren me Kosovën dhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, sepse ka qenë prej kohësh në izolim.

I sigurt, ndërkaq, pozitiviteti me koronavirus i Marash Kumbullës. Mediat italiane konfirmuan se mbrojtësi i Romës është i infektuar, ashtu si lojtarët e tjerë kryeqytetas Xheko, Facio, Pelegrini dhe Santon. Kjo do të thotë se nuk ka më shpresë që Kumbulla të vijë në kombëtare, ndonëse trajneri Reja fillimisht u shpreh se kjo mund të bëhej të shtunën, madje duke vendosur në dispozicion edhe avion privat.

Sfidanti.al