Po t’i hedhësh një sy të parë mund të ndihesh i kënaqur. Kombëtarja shqiptare teorikisht do të ketë në dispozicion shumiën dërrmuese të lojtarëve për miqësoren me Kosovën, por sidomos për dy ndeshjet vendimtare në Ligën e Kombeve, ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë.
Mungesat të rëndësishme janë Keidi Bare dhe Odise Roshi, të dëmtuar, ndërsa kthehet Cikalleshi, por realiteti mund të jetë tjetër. Përtej mungesës tjetër të portierit Strakosha, që ende dyshohet për Kovid, të sulmuesit Kamberi që është i konfirmuar me koronavirus dhe Dermakut të dëmtuar, trajnerit Edi Reja mund t’i mungojnë edhe lojtarë të tjerë.
Klube të ndryshëm, sidomos nga Italia, mund të pengojnë ardhen e futbollistëve për shkak të rregullave kufizuese për koronavirusin. Shqetësimi është i madh sepse nga Seria A vijnë Berisha, Hysaj, Kumbulla, Gjimshiti, Memushaj, Vrioni e Çepele. Reja kthen në kombëtare Memushajn duke pasur nevojë për organizim në mesfushë në mungesë edhe të Bares.
Shpresa të mëdha tek sulmi, ku sidomos Armando Broja është në formë shumë të mirë. Sulmuesi 19-vjeçar ka shënuar 4 gola në Superligën e Holandës me Viteshen dhe pritet të jetë ai udhëheqës në një repart ku kthehen Balaj e Cikalleshi, dhe ku janë edhe Seferi e Vrioni, por sidomos Myrto Uzuni që la pas koronavirusin.
Kombëtarja luan në 11 nëntor ndaj Kosovës, në 15 kundër Kazakistanit dhe në 18 nëntor sfidën e fundit, atë kundër Bjellorusisë, që të treja në “Elbasan Arena”.
Lista
Portierë: Berisha, Hoxha, Molla; Mbrojtës: Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Çepele, Doka, Trashi, Memolla; Mesfushorë: Memushaj, Gjasula, Çokaj, Abrashi, Selahi, Laçi, Kallaku, Ramadani; Sulmues: Balaj, Vrioni, Broja, Seferi, Cikalleshi, Manaj, Uzuni.
Sfidanti.al