Pandemia mund t’i kushtojë Stephen Curry rreth 20 milionë Dollarë

Goditja ekonomike që pandemia do t’u japë lojtarëve të NBA mund të jetë shumë e madhe dhe këtë mund ta vërtetojë Stephen Curry. Basketbollisti i Golden State Warriors firmosi në 2017 një kontratë me pagë 201.2 milionë Dollarë në 5 vjet, kontrata më e kushtueshme në të gjithë Ligën e basketbollit amerikan.  Sezonin e ardhshëm Curry do të përfitojë 43 milionë USD, gati 2 milionë më shumë se 41.4 milionët e Chris Paul (Oklahoma City Thunder) dhe  Russell Westbrook (Houston Rockets) dhe 41,3 milionët e John Wall (Washington Wizards) dhe James Harden (Houston Rockets).

Por impakti i Covid-19 tek të ardhurat aktuale dhe të ardhme të kompeticionit mund të reduktojë këtë përfitim të Curry me rreth 20 milionë Dollarë. Sipas akordit kolektiv, një përqindje e pagës së lojtaret mbahet deri në fund të sezonit në një llogari depozitimi si garanci, në varësi të rishikimeve të fitimeve Ligës. Nëse NBA i kalon parashikimet përsa u përket të ardhurave, paratë u shpërndahen lojtarëve, në rast të kundërt, shkojnë për llogari të pronarëve.

Në sezonet e fundit në një skenar normal, ekonomia nuk kishte probleme, por tani me rënien e të ardhurave dhe me parashikimet aspak optimiste për të ardhmen, depozita e garancisë mund të rritet deri në 40% të pagave të basketbollistëve, një përqindje që do të thotë se Curry do të linte 17.2 milionë Dollarë dhe do të kishte si përfitim të sigurt 25.8 milionë Dollarë.

Sfidanti.al