Pasditja e ftohte lombarde në “San Siro” u ndje deri në kockë nga rezultati i ndeshjes. Interi sërish nuk ia doli që të fitonte, edhe pse luante në fushën e vet, edhe pse pati përballë një kundërshtar jo të nivelit më të lartë, edhe pse i duhej të mos gabonte që rivalët për titull të mos përfitonin. Asgjë nga këto nuk u bë, madje një pikë e vetme u shpëtua në minutën e dytë shtesë. Pasi Parma shënoi dy herë në pjesën e dytë (Zhervinjo 46’, 62’), zikaltërit arritën që të reagonin të paktën dhe humbja u shmang nga golat e kroatëve. Brozoviç në 64’ dhe Perishiç në 92’ ishin autorët.
Në mungesë të Romelu Lukakut të dëmtuar, Interi u ndje jetim para portës, dhe Lautaro Martinez ndoshta ende po vuan pasojat e transferimit të munguar tek Barcelona. Me 11 pikë në 6 ndeshje (nga 18 gjithsej), gabimet duket se janë bërë të shumtë. Nuk dihet nëse drejtuesit e klubit do të kenë besim për një kohë të gjatë tek trajneri Antonio Konte, apo do të mërziten shpejt, por rreziku ekziston, aq më tepër për atë që ndodhi në fund të sezonit të kaluar. Gjithsesi, historia mëson se klube që kanë kohë pa fituar, duan kohë të ngrihen në këmbë, siç ndodhi me Mançester Junajtidin e Sër Aleks Fergusonit apo Liverpulin e Bill Shenklit.
“Ne dominuam, mjafton të shohësh statistikat, por nëse nuk shënon, nuk fiton, – theksoi Konte, – jo vetëm kaq, por për pak mund të kishim humbur. Nuk dua të flas për fatin, pasi ishte faji ynë që nuk shfrytëzuam rastet që krijuam. Ndeshje të tilla duhen fituar”. Interi mbajti topin në zotërim 69 për qind, gjuajti 9 herë në kuadrat (3 Parma), portieri mik bëri 6 pritje, ndërsa Handanoviç vetëm 1, kornet ishin 15-2, e krosimet 46-6. Gjithsesi, nuk mjaftoi.
Sfidanti.al