Për t’u lavdëruar apo “rrahur”, lojtarët e Dandalkut asnjë faull ndaj Arsenalit!

Trajneri i tyre italian, Filipo Xhovanjoli, i ngriti në qiell futbollistët e tij në përfundim të ndeshjes. “Janë shumë zotërinj, shumë xhentëlmenë, – tha ai, – nuk bënë asnjë faull ndaj Arsenalit”. Nuk dihet nëse është një rekord apo jo, por skuadra irlandeze Dandalk (Dundalk) e mbylli me 0 ndërhyrje të gabuara sfidën e Ligës së Europës të humbur 0-3 në “Emirejts” të Londrës. Nketiah, Uillok dhe Pepe shënuan golat për vendasit, të cilët ndoshta e patën më të lehtë për shkak se kundërshtarët nuk deshën kurrë t’i ndërprisnin me faulla. Me gjasë, ndonjë analist tjetër apo ish-futbollist, do t’i kritikonte pasi nuk mund të mendohet futbolli pa ndërhyrje për topin, të cilat vetvetiu sjellin gabime. Sidoqoftë, Xhovanjoli tha se “ekipi im luftoi fort, por nuk përdori mjete të palejueshme për ta ndaluar Arsenalin”.

Sfidanti.al