Duhet të luhet në orën 21:00 dhe UEFA e ka bërë të qartë se asgjë nuk do të ndryshojë, por gjithsesi alarmi në Mynih ka qenë tepër i madh. Konfirmimi pozitiv me koronavirus i sulmuesit Serg Gnabri u ndje si “shpërthim bombe” në klubin bavarez, pasi ndodhi vetëm pak orë përpara duelit ndaj Atletikos së Madridit në Champions, në Ligën e Kampionëve, ndërsa futbollisti ishte në kontakt me lojtarë të tjerë të skuadrës.
Kjo do të thotë se edhe të tjerë ishin potencialisht në rrezik për t’u infektuar, mbi të gjithë David Alaba, apo edhe Koman e të tjerë, që janë stërvitur pranë Gnabrisë. Aspekt pozitiv për Bajernin është se klubi ka ambiente të veçanta në qendrën stërvitore, pra lojtarët nuk përzihen shumë me njëri-tjetrin. Kjo e ul, por nuk e zhduk probabilitetin për infektim. Që në mëngjes, shërbimi shëndetësor dhe specialistë për testet e koronavirusit bënë tamponë për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik, plus edhe pjesëtarë të tjerë të lidhur me ekipin. Kjo, që në orën 09:00 të mëngjesit, ndërsa ora 15:00 ishte afati i UEFA-s për të dhënë rezultatet. Gjithsesi, duket se asgjë nuk do ta rrezikojë sfidën Bajern-Atletiko, edhe pse Gnabri tashmë është i izoluar në shtëpi.
Sfidanti.al