Misteri “Uzuni”, jepet me koronavirus, por tifozët e duan në formacion!

Do të jetë apo jo sonte në “Kamp Nou”? Dyshimet dhe konfuzioni janë në nivele të larta kur vjen puna për Myrto Uzunin dhe pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e sotme në Champions. Lajmet janë që ai nuk udhëtoi me skuadrën e Ferencvaroshit drejt Barcelonës, për duelin e parë në grupe, dhe dyshohet se sulmuesi është pozitiv me koronavirus. Beratasi u largua nga grumbullim i kombëtares dhe nuk luajti në Ligën e Kombeve ndaj Kazakistanit e Lituanisë, por mediat spanjolle shkruajnë se ai do të jetë në stol.

I tillë është parashikimi për ndeshjen e sotme nga të përditshmet “Marka” dhe “AS” të Madridit, apo nga gazeta “Sport” e Barcelonës. Jo vetëm kaq, por e përditshmja kryesore sportive e Budapestit, “Nemzeti Sport” botoi sot në drekë (13:10) artikull ku shkruhej se tifozët e kërkojnë Uzunin në formacion (në foto) së bashku me Zubkovin dhe Nguenin. Nëse trajneri Rebrov do ta ketë në dispozicion, do të ishte një plus i madh. Sulmuesi i krahut shënoi dy gola në ndeshjet në grupe ku Ferencvaroshi eleminoi Djurgardeninsin suedez, Sëlltikun, Dinamon e Zagrebit dhe Molden e Norvegjisë.

Për Ferencvaroshin ky është një rikthim tepër emocionues në garën kryesore të klubeve në Europë pas 25 vjetësh, dhe përballë tyre do të jetë skuadra e madhe e Lionel Mesit. Edhe pse katalanasit nuk janë në kohët e tyre të arta, sërisht është ngjarje kur ndeshesh me Mesin, Pikenë apo Busketsin, yjet që krijuan mitin me Guardiolën e Luis Enriken. Trajneri i Barçës, Ronald Kuman, pritet të hedhë në fushë lojtarët më të mirë, edhe pse do mungojnë Ter Shtegen, Zhordi Alba apo Buskets. Në mbrojtje duhet të jenë Pike e Lengle, në mesfushë De Jong e Pjaniç, ndërsa në fazën ofensive, Grizman, Kutinjo, Fati dhe Mesi.

Sfidanti.al