“Muaji i mjaltit” me Andrea Pirlon përfundoi, të paktën ai i pari. Trajneri i ri italian, ish-legjendë e fushës, i ka ndoshta të gjitha mundësitë që të shkëlqejë me Juventusin e tij, por për momentin duhet të mbahet me thonj e me lojë të pabukur për të marrë ndonjë pikë. Fitorja në tavolinë ndaj Napolit u pasua nga një barazim 1-1 i shëmtuar në fushën e një Krotoneje luftarake që mori pikën e parë në Serinë A. Kuptohet, Juvja ishte pa Kristiano Ronaldon dhe Paulo Dibalën, dy lojtarët më të mirë, por pati aq potencial sa për t’ia dalë ndaj një modesteje si Krotone.
Kritikat nga mediat ishin të forta pas një loje anonime. “Juve, kështu nuk shkon”, shkruajti “La Gazeta delo Sporti”. “Il Korriere delo Sporti” thekson se nga Juvja u shpëtua vetëm Morata. Pirlo duket i qetë në analizë. “Në ndeshjet e fundit kemi mbetur me 10 lojtarë për mendjelehtësinë tonë, – u shpreh ai, duke komentuar kartonin e kuq të Kiezës, – kemi një skuadër të re që duhet të rritet, i nevojitet kohë për të punuar. Nuk kemi pasur kohë sepse kanë qenë ndeshjet e kombëtareve. Jemi në fazë ndërtimi”. E vërtetë pasi në fushë ishte mbrojtja Danilo-Bonuçi-Demiral, ishin Kieza, Frabota, Artur e Betankur në mesfushë, Portanova e Kulushevski në sulm në mbështetje të Moratës. Pra një “transfuzion” total.
Sfidanti.al