Ndeshjen e parë me fanelën blu e luajti pikërisht në derbi, dhe shënoi golin e parë me specialitetin e tij goditje me kokë. Dankën Ferguson (Duncan), i njohur nga tifozët dhe gazetarët si “Danku i Madh” (Big Dunc), e pret me padurim derbin e sotëm të Evertonit të tij ndaj Liverpulit, ndërsa është në pozicionin e zv. trajnerit. Ish-sulmuesi i fuqishëm, 1.93 metra shtatlartë, pasi drejtoi vjet ekipin për disa muaj, ia la vendin Karlo Ançelotit, i cili e mori si krahun e djathtë. E kush tjetër më mirë sesa Danku i Madh mishëron shpirtin e Evertonit?!
“Nëse ne fitojmë ndaj Liverpulit, bota do të mbajë shënime, – thotë ai në një intervistë të rrallë, – ne kemi një lojtar të madh si Hames Rodrigezin, kemi një trajner të madh si Karlo Ançelotin, kemi një sulmues të rrallë si Kalvert-Ljuinin, por kemi edhe shumë lojtarë të tjerë. Mendoj se jemi gati”.
Në kohën e sotme (moderne), asnjë futbollist nuk është më i adhuruar nga tifozët sesa skocezi 48-vjeçar, edhe pse ai nuk shkëlqeu me golat, duke shënuar vetëm 72 në 273 ndeshje në periudhën 1994-1998 dhe 2000-2006. Asnjë skocez nuk ka shënuar më shumë gola sesa ai në Premier Ligë, por gjithsesi ai ka fituar vetëm 3 derbi ndaj Liverpulit në 16 ndeshje të luajtura. Ku i dihet, ndoshta po kthehet sërish koha e artë e viteve 80-të!
Sfidanti.al