Bojkoti ka dhënë një mësim shumë të rrezikshëm : pa futboll, Shqipëria duket sikur ka një hall … më pak! Janë tundur aq shumë themelet e kësaj perandorie , sa votohet nëpër sondazhe për fikjen e qiririt të fundit. Dhe ata që e kursidën paralizën, profesorët që i predikuan klubeve “vdekjen e përkohshme” për hir të revolucionit ekonomik, duket se janë bërë pishman dhe po driblojnë njëri- tjetrin me dopio gjashtën në dorë.
Loja e trukuar me bojkotin, nuk paska qënë dhe aq e lehtë sa dukej në letër, ku Qeveria do të dorëzonte portën, kurse sulmuesit e bojkotit do të lëpinin gishtat me shijen e golave të tyre. Në këto momente autogoli, loja nuk është më lart midis Qeverisë dhe FSHF-së, Ligës apo shtrigës, por ka zbritur poshtë, me pyetjen fatale: kush është gabuesi i madh, Kokëdhima, frymëzuesi teorik i bojkotit, apo vetë presidenti Duka, komandanti i ushtrisë së lodhur. Siç e do zakoni, që shefat kanë lindur për të mos gabuar, siç ka ndodhur në këto dy dekada me rrokapujat e Kombëtares apo me rrokadat e trajnerëve, presidenti do të mbetet përsëri i “virgjër” dhe si pengmarrës do të bëhet kurban Kokëdhima. Fakti që qënka shtyrë protesta , që do të bëhej duke “qëlluar” me topa futbolli portën e Kryeministrisë, gjoja në emër të ndeshjeve të Kombëtares, dëshmon për zbythjen strategjike të kokave të futbollit.
Pale kur mendon se loja po mban erë edhe për shkak të UEFA-s, ajo që na syrgjynosi për 10 vite nga toka e saj, po na dënon përsëri, edhe brënda vendit, me qëndrimin e saj laviresk! Fati ynë s’ka të paguar: kur fajin e kishte Shteti, UEFA na kërcënonte me përjashtim nga aktiviteti, tani që fajin e ka vetë pronarët e futbollit ..ata dërgojnë letra dashurie që palët të puthen prapë, të “shtrihen” në krevat ..si në kohën e stadiumeve!
Sfidanti.al