Filluan pakënaqësitë edhe me Zidanin? Thuhet se Reali ndihet në kaos!

Nuk dihet nëse kjo është pasojë e problemeve financiare nga koronavirusi, apo ka lidhje me mënyrën sesi punon trajneri. Zinedin Zidan mund të cilësohet trajner i shquar edhe në një klub si Reali, me 3 Champions e 2 tituj kampion të fituar në pak vjet, por edhe për të po dalin fjalë se gabon. Mediat madrilene shkruajnë se lojtarët janë konfuzë dhe se ndihen të pakënaqur me ndryshimet e shpeshta të formacionit.

Ndaj Vajadolidit, Zidani zgjodhi formacionin 4-4-2 me mesfushën “diamant”, hodhi në fushë titullar Luka Joviçin e jo Vinisiusin. Në ndeshjen ndaj Betisit, ai (sipas “Markës”) zgjodhi fillimisht Odegardin, pastaj e la jashtë në favor të Iskos. Jashtë u lanë edhe Karvahal e Odriozola, ndërsa Marselo luajti në vend të Ferlan Mendisë.

“Rëndësi ka që fituam ndeshjen, – tha trajneri Zidan, – po ashtu jam i kënaqur sepse luajtëm mirë dhe krijuam raste për gol. Nuk qe e lehtë sepse kundërshtari luajti fort dhe pati rastet e veta. Është vetëm fillimi i sezonit, dhe besoj se me kalimin e javëve ne do të përmirësohemi. Unë do të vazhdoj të bëj ndryshime në skuadër sa herë që ta shoh të nevojshme”.

Sfidanti.al