Futboll dhe Covid, shtyhet ndeshja mes Genoas dhe Torinos

Ndeshja mes Genoas dhe Torinos në Serie A shtyhet. Ky është vendimi i marrë nga Këshilli i Legës së Serie A në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur këtë të enjte. Kjo sfidë që ishte e vlefshme për javën e tretë të kampionatit italian ishte programuar të luhej të shtunën në orën 18:00.

Skuadra xhenoveze kishte kërkuar mos zhvillimin e kësaj ndeshjeje për shkak të 15 rasteve pozitive me coronavirus, kështu që drejtuesit e futbollit italian vendosën që të përshtasin rregullin e UEFA; luhet nëse 13 lojtarë duke përfshirë edhe portierin janë disponibël dhe në rast refuzimi parashikohet humbje 3-0 në tavolinë. Por skuadrat me të paktën 10 lojtarë pozitivë kanë të drejtën që të kërkojnë shtyrjen vetëm 1 herë të sfidës dhe Genoa e bëri këtë kërkesë për sfidën e së shtunës ndaj Torinos.

Ndërkaq pas testeve me tamponë të Napolit dhe Genoas, erdhi edhe përgjigjja e testeve të arbitrave dhe atyre të sistemit VAR të ndeshjes së luajtur në Napoli; të gjithë ngeativë. Duke u kthyer te Napoli, futbollistët iu nënshtruan testeve të tjera për Covid-19 në qendrën stërvitore Castel Volturno. Rezultatet pritet të dalin pasditen e së premtes. Për momentin të gjithë lojtarët dhe stafi teknik i Napolit janë negativë dhe sipas burimeve askush nuk ka shfaqur simptoma që të krijojnë dyshimin e ndonjë rasti pozitiv. Përsa i përket Genoas, skuadra kuqeblu pezulloi seancat stërvitore të saj, ndërkohë që pasditen e së mërkurës publikoi emrat e personave të prekur nga coronavirusi, nga të cilët 11 janë futbollistë; Francesco Cassata, Lukas Lerager, Federico Marchetti, Filippo Melegoni, Luca Pellegrini, Mattia Perin, Marko Pjaca, Ivan Radovanovic, Lasse Schöne, Davide Zappacosta, Behrami.

Sfidanti.al