Bibiana, ikën arbitrja gjermane që nuk e ndjeu veten femër, por profesioniste!

Është gjë e madhe kur një grua thotë se nuk dëshiron ta ndihmojnë për shkak të gjinisë, por ta vlerësojnë vetëm nga aftësia. Për mijëra vjet, nuk dihet saktësisht sesa, burrat kanë dominuar shoqërinë njerëzore, ndërsa vetëm pak shpikjeve të makinerive dhe automatizmit, puna fizike ia lëshoi vendin asaj mendore, dhe njerëzit nisën të mendonin për barazinë gjinore.

E bëjmë këtë hyrje të nxitur nga fjalët e arbitres së shquar gjermane të futbollit, Bibiana Shtajnmajer, “pionierja” e gjyqtareve femra në Gjermani, por që e mbylli karrierën pas finales së Superkupës, Bajern-Dortmund. Bibiana u përcoll me lule (në foto), ndërsa mbahet mend nga tifozët shqiptarë për kartonin e verdhë ndaj Klaus Gjasulës sezonin e kaluar në Bundesligë (në foton tjetër).

Kjo grua e fortë, sikur të ishte një burrë, e ka ndjerë veten kaq konkurruese saqë nuk pati nevojë për mbrojtjen e ligjeve specifike që u japin femrave kuota fituese, pa pasur nevojë të konkurrojnë. Ja edhe fjalët e saj. “Që unë jam grua, kjo nuk është temë që më pëlqen, – është shprehur Bibi për Dojçe Velen, – vlerësimi nuk duhet bërë mbi bazën e gjinisë, ngjyrës së lëkurës apo besimi fetar, por nga aftësia. Vetëm personi që jep më të mirën duhet të lejohet në fushë”. Aferim Bibi, ndonëse shumë nga femrat nuk e kanë ende fatin të jenë kaq të zonjat sa ti, ndaj po të mendohesh më mirë, do t’i tërheqësh fjalët që thua.

Edhe diçka tjetër për këtë gjermane 41-vjeçare nga Saksonia e Poshtme. Kjo oficere policie, edhe pse është e ashpër në fushë, nuk ka nxjerrë asnjë karton të kuq në 3 sezone në Bundesligë, ku ka drejtuar 23 ndeshje, me 65 të verdhë.  Përse Bibi largohet 41 vjeç, kur rregullorja e lejon deri 47? “Për arsyet do të flas një herë tjetër”, – thoët ajo shkurt, ndonëse spekullohet se dëshiron të jetojë pranë të dashurit që ndodhet në Nju Jork dhe që është ish-arbitri i njohur anglez, Hauard Ueb.

Sfidanti.al