Dëmtim dhe “mirupafshim Paris”, a ka shans tjetër për Serenën?

Kur njeriu mbush 39 vjeç nis t’i afrohet asaj që quhet “kriza e të 40-ve”, ndërsa për Serena Uilliamsin kjo është një tjetër lloj krize. Tashmë nënë, tenistja e madhe amerikane nuk po arrin të “ngrejë kokë” dhe ja ku u detyrua të bënte gati valixhet për t’u larguar nga Rolan Garosi. Grand Slemi parizien përfundoi për të, thuajse pa filluar ende, sepse ajo pati dëmtim në tendinin e Akilit. Serena duhej të kishte luajtur ndaj bullgares Cvetlana Pironkova, por gjatë nxemjes ndjeu dhimbje të fortë.

“U këshillova me trajnerin tim dhe vendosëm se më e mira ishte që unë të mos luaja sot, – sqaroi ajo më pas, – nxemja ishte e shkurtër sepse e kuptova shpejt. Detyra kryesore është që të shërohem. Doja shumë të luaja në Paris, por tendini im i Akilit nuk pati kohë të shërohej plotësisht”. Me gjasë, për Uilliamsin mund të ketë përfunduar gjithë sezoni 2020, ndërsa vitin tjetër ajo do të ketë edhe më të vështirë sepse do të mbushë 40 vjeç. Serena ka fituar Grand Slemin e fundit në 2017, ndërsa që nga 2015-ta ka fituar gjithsej vetëm 3 tituj të tillë.

Sfidanti.al