Raikonen flet pas shumë muajve heshtjeje: Unë nuk jam racist!

Mundet edhe të mos jetë, mundet të jetë thjesht një njeri indiferent për këto çështje shoqërore, siç ka plot të tillë në botë. Kimi Raikonen u ndje i bezdisur me pyetjen se përse nuk u gjunjëzua në mbështetje të fushatës kundër racizmit dhe të Lëvizjes “Jetët e Zezakëve Vlejnë”. “Kjo është një pyetje e çmendur, – tha piloti finlandez i Formula 1, – gjithkush ta të drejtë të bëjë atë që ndjen se është gjëja e duhur. Të gjithë pilotët janë absolutisht kundër racizmit, dhe ne jemi në mbështetje. Jam më shumë se i lumtur të jap mbështetjen time për këto gjëra, por secili njeri ka të drejtë të bëjë atë që ndjen se është më e përshtatshme për të”.

Dakord, Raikonen kishte veshur fanelën me shkrimin “Jepini fund racizmit”, ndërsa ishte një nga 6 pilotët që nuk u gjunjëzuan, sipas kërkesës së kampionit të botës, Ljuis Hamilton. Gjëja e vetme që duhet theksuar për finlandezin e Alfa Romeos është se ai, dhe shumica e pilotëve të tjerë nuk kanë qenë ndonjëherë aktivistë, as nuk janë shprehur kundër racizmit apo dhunës ndaj zezakëve, siç ndodhi në SHBA. Ata reaguan vetëm pasi Hamiltoni i kritikoi ashpër pas vrasjes së Xhorxh Flojdit.

Sfidanti.al