Liverpuli kryeson edhe mes nervave, mjafton qeshja e Klopit!

Aty ku e lamë, aty na mbeti. Ky duket refreni i Premier Ligës, me dy superskuadrat e saj, Liverpulin e Mançester Sitin, që mesa shihet do të bëjnë sërish një duel të madh për titullin. Vjet fitoi Guardiola me një pikë më shumë, 98 me 97, dhe të dyja skuadrat vendosën rekordin historik të pikëve, ndërsa këtë vit është ende shpejt për të thënë se kush ia del.

Për momentin, kryeson Liverpuli me 12 pikë të plota, ndaj 10 të Sitit, ndërsa të dy ekipet fituan në javën e katërt. Më herët, “qytetarët” e Pepit, 4-0 në fushën e tyre ndaj Brajtonit, me gola të shënuar nga De Brujn, Aguero, sërish Aguero dhe Bernardo Silva. Për fat të keq, u dëmtua francezi Armerik Laporte që rrezikon edhe ndeshjen e Francës me Shqipërinë në Euro 2020.

Liverpuli u përgjigj nja dy orë e gjysmë më vonë, duke mos u ndalur as në fushën e Bërnlit. Sukses 3-0 me gola të realizuar nga Kris Ud (autogol) Sadio Mané, e Roberto Firmino. Tek të kuqtë ndodhi një episod i pakëndshëm, kur Salah nuk i pasoi Manesë që ishte në pozicion më të mirë, por gjuajti vetë. Mane u nervozua dhe nisi të bërtiste ndërsa u zëvendësua nga trajneri Klop. U duk se do të bëhej gjë e madhe, por qeshja e madhe dhe e fortë e Klopit sikur i dha fund rastit. “Çështja është sqaruar, – tha ai, – në fund të fundit, u kapën për një pasim. Do të kemi 2 javë ndërprerje që erdhën në kohën e duhur”.

Sfidanti.al