Viti i mallkuar 1994, si vdekja e Senës ndihmoi titullin e Shumaherit!

Ishte i magjishëm sa kohë ishte gjallë, por pesha e madhe e emrit të tij rëndoi edhe pas vdekjes, aq sa duket se vendosi një titull kampion në Formula 1. Airton Sena humbi jetën në aksidentin e Çmimit të Madh të San Marinos, në pistën e Imolës, duke i hapur rrugën mbretërimit të gjatë të Mikael Shumaherit.

Piloti legjendar gjerman fitoi pikërisht në 1994 titullin e tij të parë kampion të botës, veçse në mënyrë shumë të diskutueshme. Së pari, vetë Sena dyshoi se makina Beneton e Shumit kishte shkelur rregulloren teknike të Formula 1, por Federata Botërore e Automobilizmit (FIA) nuk gjeti prova.

Më i rëndësishëm fakti i dytë, ai që ndodhi në garën e fundit të kampionatit. Shumi u përplas me Demon Hillin e Uilliamsit, duke dalë të dyja makinat jashtë piste, dhe gjermani fitoi titullin sepse kishte 1 pikë më shumë në renditje.

“Ne ishim 100 për qind të sigurt se Mikaeli ishte fajtor pasi përplasja ishte e qëllimshme, – tha drejtori teknik i Uilliamsit, Patrik Hed, – ne menduam seriozisht të bënim ankesë zyrtare, sepse gjithçka ishte fare hapur, por viti 1994 ishte i tmerrshëm me vdekjen e Senës, dhe ne e quajtëm të pavolitshme që Demoni ta fitonte titullin jo në pistë, por në tavolinë”. Shefi i FIA-s, Maks Mozli, shkruajti më vonë në autobiografinë e tij se “mendimi im privat ishte që Mikaeli pati shumë fat që nuk u dënua, pasi do ta kishte humbur titullin kampion”.

Sfidanti.al