Tenis, Kvitova është e lumtur pasi i shpëtoi paq sulmit me thikë!

Petra Kvitova mund të quhet një vajzë me fat. Tenistja 26-vjeçare u shfaq e lumtur në konferencën e parë për shtyp pas operacionit të cilit iu nënshtrua në dorën e majtë, ndërsa u plagos në apartamentin e saj nga nje agresor, ende i panjohur. Sportistja çeke falenderoi mjekët, tifozët dhe publikun për mbështetjen dhe deklaroi se “unë arrij t’i lëviz gishtat, dhe kjo është dhurata më e bukur për Krishtlindje”. Gjithçka mund të kishte shkuar ndryshe, ndërsa agresori ia vuri asaj thikën në fyt, ndërsa Kvitova u plagos në dorën e majtë kur u përpoq të largonte armën e ftohtë. Sipas parashikimeve të mjekëve, ajo mund të luajë sërish tenis ndoshta pas 6 muajsh. Kvitova, numri 11 në botë, është një nga tenistet më të njohura pasi ka fituar 2 herë Grand Slemin më të shquar nga të gjithë, Uimbëlldonin, ndërsa ka fituar në karrierë mbi 22 milionë dollarë. Policia çeke ende nuk ka dhënë hollësi për sulmin, ndërsa mediat në Pragë nuk harrojnë të nënvizojnë se ajo gjatë këtij viti, u nda nga i dashuri, Radek Meidl.