San Antonio e Boston buzëqeshin, rigjejnë fitoren në NBA

San Antonio rikthehet te fitorja pas 4 humbjeve radhazi në kampionatin më spektakolar në botë. skuadra e Spërs arriti të mposhtë Memfis me rezultatin 108-107, në një ndeshje që nuk ishte aspak e lehtë për të. Soi gjithmonë për skuadrën teksane të drejtuar nga Greg Popovic shkëlqeu LaMarkus Oldrixh me 22 pikë të shënuara, por vlen të theksohet se San Antonio e ndëshkoi Grizlis me anë të gjuajtjeve nga distanca pasi basketbollistët e saj u treguan të saktë në 13 gjuajtje nga 21 tentativa.

E njëjta histori ndodhi edhe me Bostonin që rigjeti fitoren pas disfatës së pësuar me Los Anxheles Klipers teksa pa që kalifornianët t’i përmbysnin avantazhin që kishte krijuar. Viktima e Celtics në këtë ndeshje u bë Filadelfia të cilën Bostoni e mundi 112-109. Ishte një fitore me shumë vlera kjo e skuadrës nga Masacusets që në të vërtetë iu bashkua 76ers në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është se Bostoni e fitoi këtë ndeshje pa praninë e lojtarit më të mirë të tij, Kajri Irving i cili mungoi për shkak të një dëmtimi.

Të mposhtësh Golden Stejt në Oracle Arena në Oakland është një mision thuajse i pamundur për skuadrat e NBA. E provoi këtë edhe Jutah Xhaz që u mposht nga kampionët në fuqi me rezultatin 115-108 me Uorriors që regjistroi fitoren e katërt radhazi. Stiven Kërri nuk ishte në ditën më të mirë për saktësinë në gjuajtje, por kalifornianët kishin dy armë të tjera; Kevin Durant me 28 pikë e 7 topa në tabelë dhe Klej Tompson me 22 pikë.

sfidanti.al