Nga 300 km/orë tek një tigër, Hamilton feston në Meksikë

Shpesh kampionët e festojnë një fitore në sport me një gotë verë, apo birrë, në varësi të vendit ku jetojnë. Ljuis Hamilton nuk është se nuk e pëlqen aspak alkoolin, suksesin në Meksikë vendosi ta celebronte ndryshe. Ai shkoi në një Kopësht Zoologjik në kryeqytetin meksikan, Meksiko Siti, duke luajtur me një … tigër.

Macja e madhe, me siguri një tigër Indie, ishte tepër i lumtur të lodronte me kampionin e Formula 1, i cili pavarësisht se është shumë trim, e pati një druajtje. Në videon e hedhur në internet, dëgjohen kujdestarët e tigrit që i thonë “mos u shqetëso, gjithçka shkon shumë mirë”, ndërsa Hamilton u përgjigjet: “Është tepër i madh”.

Tigri, rreth 300-kilogramësh i mësuar me ushqim të gatshëm, duket se i ka humbur instinktet e bishës së egër, ndonëse anglezi nuk mund të thuhet se nuk është mësuar me rrezikun. Një njeri që e ka jetën në fije të perit, duke pilotuar makinën me 300 km në orë, mund ta përballojë edhe kërcënimin virtual të një tigri.

B. Kuka