Historia e treguar nga presidenti Halili është “mjaltë”, me një keqardhje të jashtëzakonshme për largimin nga Tirana të një miku të vërtetë të tij, si Ilir Daja. Halili po ashtu u shpreh se i ka zgjatur Dajës dorën e bashkëpunimit, duke lënë të kuptohej se ish-trajneri mund të caktohej në krye të Akademisë bardheblu.
Veçse, përgjigja nuk ka qenë kaq “e ëmbël”. Daja ka përmendur pabesinë. “Nuk mund të ketë bashkëpunim me thikë pas shpine”, – u shpreh njeriu që doli kampion i Shqipërisë me Elbasanin dhe Dinamon. Por, Halili u betua se do të donte me patjetër që ish-trajneri të angazhohej në klubin bardheblu, siç u kuptua për të drejtuar Akademinë.
“Nuk kemi bërë asnjë bisedë për këtë gjë, – theksoi Daja, – pastaj, kur nuk pati problem të prishej projekti i madh, çfarë pengon të prishet projekti i vogël”. Më pas, duke bërë shaka, ai shtoi se “unë kam vetë një akademi, po i propozoj Halilit të bëhet president i saj”. Specialisti i futbollit u shpreh se nuk habitet për shkarkimin, ndonëse nuk e priste dhe nuk pati asnjë sinjal për të, por më shumë ndjen keqardhje për punën e madhe që bëri.
A mendon ai se pati ndonjë shkak që e detyroi presidentin ta largonte. Daja sërish kalon tek batuta. “Më kërkoi që të fitoja Ligën e Kampionëve që në sezonin e parë”, – e mbyll bisedën ai.
B. Kuka