Nadalit i ka mbetur peng: “Si iku ashtu Marej, ishte e habitshme!”

Rafael Nadali, pa ndonjë problem të madh, mundi serbin Dushan Lajoviçin, në raundin e parë të turneut US Open, duke e thyer  rezistencën e tij që në setin e parë dhe duke pasur parasysh se këtë set ai e fitoi me rezultatin 8-6, por, sidoqoftë, më pas, loja rrodhi “vaj” për tenistin spanjoll.

Në konferencën e shtypit që ai zhvilloi mbas ndeshjes së parë, Nadali, midis të tjerave, bëri një vërejtje serioze në adresë të Endi Marejit, më saktë, ai kritikoi mënyrën se ai hoqi dorë nga pjesëmarrja në këtë turne. Marej, në fakt, priti sa u hodh shorti, ku ai ishtë bartësi nr.2, kurse, më pas, njoftoi tërheqjen e tij nga turneu i Nju Jorkut, ndërkohë që Nadali e Federeri janë në një anë dhe mund të ndeshen me njëri me tjetrin që në gjysmëfinale.

“Me të vërtetë, është e habitshme ajo që bëri ai. E pashë Marejin, kur erdha këtu dhe e përshëndeta. Sigurisht që mendova se ai do të merrte pjesë në turne, kështu që u habita, kur mësova se ai ishte tërhequr nga pjesëmarrja në këtë turne, mbas tërheqjes së shortit. Ai bëri një diçka që është e vështirë për ta kuptuar. Sidoqoftë, më e keqja është ajo se ai nuk është gati që të luajë, kështu që i uroj që ta marrë veten shpejt”, deklaroi Nadali.

Sfidanti.al