MMA, Mekgregor bën historinë, por ka një sfidë nga Rusia!

Biri i Irlandës e nderoi vendin e tij madje në Arenën më të madhe të botës, Medison Skuer Gardën. Konor Mekgregor u bë i pari sportist i arteve marciale të përziera (MMA) që fiton dy titujt botërorë në UFC, këtë herë në peshën e lehtë. Ai ishte shprehur se do të bënte histori dhe ia doli duke arritur një fitore dominuese ndaj vendasit Edi Alvarez. Tri herë e rrëzoi rivalin në tapet, duke i dhënë fund finales në një raund e gjysmë. Nën brohoritjet e mijëra irlandezëve në Arenën e Nju Jorkut, atij i vendosën brezin e artë të kampionit. “Edi është një luftëtar, por nuk duhej të ndeshej me mua, – tha irlandezi, – unë jam nivel tjetër”.
Veçse, niveli i tij duket se do të testohet shpejt. Një sfidë ka ardhur nga Rusia, ndonëse ai që sfidoi u ndodh pikërisht në Medison Skuer Garden. Habib Numagomedov, me nënshtetësi ruse, dhe origjinë nga Dagestani, mundi pastër Majkëll Xhonsonin dhe tani ka rekordin me 24 fitore e 0 humbje në karrierë. Fillimisht, arriti 16 fitore në ligat ruse, ndërsa në SHBA ka 8 fitore të tjera. Pasi fitoi, Numagomedov iu drejtua qindra e mijëra irlandezëve, tifozë të Konor Mekgregorit në Medison Skuer Garden: E po mirë, le të vijë ndeshja me “pulën” tuaj”!
B. Kuka