Lebroni po luan sezonin e jetës, por a do ta fitojë dot titullin e 4-ët?!

Deri para pak ditësh nuk kishte diskutim në NBA, që Miluoki ishte skuadra më e mirë, udhëhequr nga Janis Antetokumbo. Mjaftoi një dëmtim në gju për liderin e sezonit, që skuadra kryesuese të pësonte dy humbje radhazi, dhe tani Lejkërsat janë vetëm dy disfata larg vendit të parë të përgjithshëm. Ata po ndihmohen nga një Lebron Xhejms në formën e tij të jetës, që ka shënuar plot 1544 pikë deri tani, në 60 ndeshje të luajtura, që do të thotë më shumë se 25 pikë për ndeshje, ndërsa ka mbi 10 asistë për çdo takim, dhe diçka më pak se 8 topa të kapur në tabelë për ndeshje. Një mesatare  gati prej tripëll dabëlli, së cilës i shtohen edhe sidomos vjedhjet e topave, dhe më pak bllokimet e gjuajtjeve.

Gjithsesi, nuk dihet nëse ky Lebron i rivitalizuar në moshën 35-vjeçare do të mjaftojë për të fituar titullin. Humbja e fundit në Los Anxhelos, 102-104 ndaj Bruklin Netsit, tregoi se “Liqenasit” mund të gabojnë. Mbreti i sotëm i basketbollit e kërkon me patjetër një titull, ndërsa deri tani ka vetëm 3, shumë më pak sesa i mbiquajturi më i madhi i të gjitha kohëve, Majkëll Xhordani që ka 6 tituj. Xhejmsi ka më shumë pikë të shënuara sesa Xhordani, më shumë asistë dhe më shumë topa të kapur në tabela, por titujt janë ata që vlejnë më shumë, dhe superylli i Çikagos ishte nga ata që dinte t’i fitonte. Lebroni ka dalë 8 herë radhazi në finale dhe ka fituar pak prej tyre. Pritet të shihet sesi do të jetë këtë vit rivaliteti i Lejkërsave me Klipersat dhe sidomos me Miluokin e Antetokumbos.

Sfidanti.al