Lebron ndihmon Klivlendin të bëjë të pamundurën në Indianapolis

Kur Lebron Xhejms është i stërfrymëzuar, atëherë kundërshtarët thuajse nuk kanë shpresë. Kjo, edhe kur diferenca duket e pamundur për t’u rikuperuar. Indiana kryesonte 74-49 në pushim të ndeshjes ndaj Klivlendit, një avantazh i rëndësishëm ndaj skuadrës kampione në fuqi të NBA-së. Veçse, vendasit nuk i kishin bërë llogaritë me Lebron Xhejmsin. “Mbreti” pati një mbrëmje të pabesueshme duke realizuar përmbysjen më të madhe në historinë e plej ofit të basketbollit amerikan, dhe Kavaliersi fitoi 119-114.

Xhejms shënoi 41 pikë, kapi 13 topa në tabela dhe shërbeu 12 asistë, jo vetëm duke fituar ndeshjen, por edhe duke kaluar Kobi Brajantin në renditjen e shënuesve më të mirë në plej ofin e NBA-së, e duke qenë tani në vendin e tretë. Lebron ia doli shprehimisht vetëm. Trajneri Lu kishte lënë në stol Kajri Irvingun dhe Kevin Lovin, dy lojtarët e tjerë të mëdhenj të skuadrës, për gjithë periodën e katërt, por ata që i zëvendësuan u treguan në lartësinë e duhur.

Indiana tani është në prag të eleminimit, edhe pse Pol Xhorxh zhvilloi një ndeshje të madhe. Idhulli i 18 000 shikuesve në Arenë shënoi 36 pikë, kapi 15 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, por Pejsërs është në humbje 0-3, dhe nëse mundet edhe në ndeshjen e katërt, që e luan gjithashtu në shtëpi, do të largohet nga plej ofi.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *