Hamilton mbyll vitin me fitore, edhe më pranë rekordit të Shumit!

Duhej edhe kjo për të qenë “ulja perfekte e perdes” në një sezon të shkëlqyer. Nuk mund të thuhet ndryshe kur fitohet titulli i 6-të në karrierë, dhe kur viti sportiv përfundon si i pari në finish. Ljuis Hamilton gëzoi siç deshi në Çmimin e Madh të Abu Dabit në Formula 1, me një triumf të vërtetë, duke i lënë rivalët shumë prapa. Plot 11 fitore në sezon, 84 fitore në karrierë, pra vetëm 7 fitore larg rekordit të Mikael Shumaherit. Përveç 11 fitoreve, Hamilton pati edhe 6 ngjitje të tjera në podium si vend i dytë dhe i tretë, ndërsa vazhdoi të thellonte rekordin botëror me provat zyrtare, duke pasur 88 suksese në këtë kategori.

Hamilton e mbylli Botërorin e Formula 1 me 387 pikë, shifra më e madhe e mbledhur nga ndonjë pilot në të gjitha kohët. Në Abu Dabi, Verstapeni me Red Bullin mbeti 16.7 sekonda prapa, ndërsa Lëklerk e Botas ishin 43-44 sekonda me vonesë. Në total, skuadra e Mercedesit arriti në 739 pikë, i shkëputur ndjeshëm nga Ferrari që mblodhi 504 pikë.

Sfidanti.al