Shabi Alonso, përse mungon Murinjo në listën tënde të preferuar!

Pyetja ishte e thjeshtë, edhe pse paksa “me spec”. Cili ose cilët trajnerë ishin të preferuarit e Shabi Alonsos, në karrierën e tij si futbollist, teknikë me të cilët kishte luajtur ose jo. Ish-mesfushori bask, sot teknik i ekipit B të Real Sociedadit, e dha përgjigjen e tij në rrjetet sociale, duke mos u kursye me emra. Në listë ishin Jurgen Klop, Pep Guardiola dhe Zinedin Zidan, por edhe Rafa Benitez. Me Klopin, Shabi Alonso nuk ka punuar, Guardiolën e ka pasur tek Bajerni, Benitezin tek Liverpuli. Gjithsesi, ra në sy fakti se në zgjedhjet e tij mungonte Zhoze Murinjo, tekniku me të cilin punoi tek Reali i Madridit.

“Klopi ka karizmë të madhe, – sqaroi ai, – ka marrëdhënie të shkëlqyera me lojtarët, praktikon futboll të shkëlqyer, lexon shumë mirë lojën. Zidan ishte një lojtar i madh, dhe si trajner fitoi 3 Champions, diçka e rrallë. Sa për Guardiolën, askush nuk e njeh futbollin më mirë se ai, është shumë inteligjent, interpreton mirë ekipet që ka dhe ligat ku luan, ndërsa kur flet është kënaqësi ta dëgjosh”.

Sfidanti.al