Hamilton i shpreh dashurinë Meksikës, ëndërron titullin!

“E ku ka si Tirona”, është titulli i një kënge shqiptare të viteve të fundit. Ljuis Hamilton  do të këndonte “E ku ka si Meksika”. Kampioni i botës në Formula 1 u ndje më i lumtur se kurrë në shtetin e madh “latino”, në një fundjavë të mrekullueshme për të. Anglezi fitoi Çmimin e Madh të Meksikës në Autodromin “Hermanos Rodrigez” duke mbajtur gjallë shpresat për titull.

“Nuk kam parë publik më të shkëlqyer në të gjithë botën, – ishin fjalët e tij pas suksesit, – në vendin tonë, në Angli, tifozët janë të shkëlqyer, por këtu kanë një zjarr të veçantë”. Eh, Meksika e shkretë! Edhe vendi i tronditur nga droga dëshiron të kënaqet me Formula 1.

Hamilton barazoi në Meksiko Siti një legjendë si Alen Prost, me 51 fitore, duke qenë i dyti në renditjen e të gjitha kohëve, pas legjendës më të famshme, Mikael Shumaher.

Gjithsesi, për t’i marrë titullin Rosbergut, pilotit të Mercedesit do t’i duhet ndihmë nga rivalët. Nëse gjermani zë vendin e dytë në dy garat e mbetura, kampionatin e fiton ai.

B.Kuka