Gjokoviçi kërcënon Nadalin në “tempullin” e Rolan Garosit!

Nuk po fiton aq shpesh sa në të kaluarën, por nuk po e humb aftësinë për të qenë gati në momentet e duhura. Novak Gjokoviç, që ishte “zhdukur nga qarkullimi” pas fitores në Grand Slemin Australian Open, “u bë përsëri i gjallë”, duke triumfuar në turneun ATP Masters 1000 të Madridit. Tenisti 31-vjeçar serb nuk e pati shumë të vështirë në finalen ndaj grekut Cicipas, duke e mundur 2-0 me sete (6-3, 6-4), dhe tani mund të quhet pretendenti kryesor për Grand Slemin e radhës, Rolan Garosin.

Ky ishte titulli i tretë i Gjokoviçit në Madrid, dhe Mastersi i 33-të për të, duke barazuar rekordin e Rafael Nadalit. Numri 1 i botës, ndërkaq, është shumë pranë rekordit të Rozher Federerit për tituj të mëdhenj në karrierë, tituj që përfshijnë Grand Sleme, Masters dhe finale “NITTO ATP”. Zvicerani ka 54 suksese, përfshi edhe 20 Grand Sleme, ndërsa serbi ka 54 (15 Grand Sleme). Gjokoviçit, gjithsesi, i janë dashur më pak turne për të arritur deri këtu.

Gjokoviçi do të marrë pjesë (besohet) edhe në turneun e Romës, ku është katër herë fitues, për t’u përgatitur më së miri për Parisin. Nëse ia del edhe në Francë, “Nole” do të ketë 4 Grand Sleme radhazi, pasi fitoi Uimbëlldonin e US Openin në 2018 dhe Australian Openin në 2019.

Sfidanti.al