Beteja e rrogave, Klivlend e Lebron mundin Junajtidin dhe Pogbanë!

Premier Liga kundër NBA-së! Dy liga gjigande në dy sporte të ndryshëm dhe fitues është basketbolli. Klivlend Kavaliers është skuadra me rrogat më të larta në botë, duke lënë pas Mançester Junajtidin. Kampionët e basketbollit amerikan kanë rrogë mesatare prej 8.1 milionë dollarësh në sezon për çdo lojtar, ndërsa “djajtë e kuq” arrijnë deri në 7.2 milionë dollarë apo 5.77 milionë stërlina.
Lebron Xhejms kryeson renditjen individuale të pagesave vjetore, me 31 milionë dollarë, ndërsa në vendin e parë nga futbollistët e Premier Ligës është Pol Pogba me 15.1 milionë stërlina apo rreth 19 milionë dollarë në sezon. Në renditjen e kombinuar të 30 sportistëve më të paguar për të dyja ligat, Pogba do të ishte vetëm në vendin e 30-të, ndërsa 29 të tjerët do të ishin basketbollistë të NBA-së. Për t’u habitur, në këtë 30-she nuk bën pjesë lojtari më i mirë i dy sezoneve të fundit, Stefën Kërri i Golden Stejtit.
NBA ka më shumë skuadra sesa Premier Liga, ka më pak lojtarë (449 ndaj 527), ka mesatare më të ulët tifozësh për ndeshje (rreth 18 000 për ndeshje) ndaj mbi 36 000 për ndeshje që ka Premier Liga, por basketbolli ka bileta më të shtrenjta, dhe sidomos ka shumë më tepër ndeshje (1230 ndaj 380). Të dyja kanë kontrata të jashtëzakonshme për të drejtat televizive. Premier Liga fiton më shumë në një vit (3.3 miliardë dollarë ndaj 2.5 miliardë dollarëve), veçse NBA i ka dyfishuar rrogat për një vit, pikërisht për shkak të të drejtave televizive.
B. Kuka