“Basti” i Romës mund ta lerë Federerin pa “Rolan Garosin”

Natyrisht, nuk është e vendosur që nuk do të jetë. Rozher Federer doli “i sakatuar” nga “Foro Italiko” i Romës, dhe mbetet në dyshim për “Rolan Garosin” në Paris. Zvicerani e vlerësoi turneun në Itali si etapën e duhur për të shkuar drejt Francës, por “basti” doli i humbur. Jo vetëm nuk fitoi trofeun, por edhe rrezikoi një Grand Slem.

Federeri, ashtu si edhe disa tenistë të tjerë, zhvilloi dy ndeshje brenda ditës në Romë. Në fillim në 1/16-tën ai mundi pa asnjë problem portugezin Sousa, ndërsa disa orë më vonë në 1/8-tën e finaleve ai eliminoi me pak probleme tenistin kroat Borna Çoriç. Duket se zhvillimi i dy ndeshjeve brenda ditës ndikoi në gjendjen fizike të tij që vendosi ta dorëzojë ndeshjen çerekfinale që ai do të duhej ta zhvillonte kundër Stefan Cicipasit.

Tani për tani, ende nuk dihet sesa serioz mund të jetë dëmtimi eventual i Federerit, por konsiderohet se ai nuk ka asgjë serioze dhe se ai do të jetë gati për turenuen prestigjioz “Rolan Garos”. Gjithsesi, Federer shkon në Paris për të fituar, dhe nuk dihet nëse do të jetë në formën e duhur për t’ia dalë.

Sfidanti.al