Si lindi “Sfidanti Sportiv”

23 vite më parë, pikërisht më 1993-in, “Sfidanti” ka lindur si një ndër gazetat e para private. Fillimisht, si botim i gazetës së parë private “Reklama”, e disa muaj më pas,  si një gazetë e vogël, por me liri të plotë. Shumë vetë pyesnin  me kureshti: pse u pagëzua “Sfidanti Sportiv”? Ka dy arsye, që i japin jetë këtij emri: vetë sporti, është një sfidë e bukur dhe e përjetshme, ndërsa e dyta.. të thuash të vërtetën, ndofta edhe sikur t’i afrohesh tempullit të saj, ka qënë dhe mbetet një lojë të cilën nuk e përballojnë dot të gjithë. Sidomos, në një vend ku gënjeshtra, për fat të keq, jo rrallë është fituese. Qyshkur  ishim të vegjël e fillonim lojën me një frazë lutëse: do luajmë, por do luajmë pa hile!

Nëpërmjet lajmit të shkurtër dhe thumbues, kurajës për t’i thënë gjërat ndryshe, “Sfidanti”, sapo shfaqej ditën e hënë, siç thuhej me humor.. dita e bekuar për berberët dhe gazetën , e cila”qethte” edhe më shkurt,  përbënte një ndjellje të besueshme për afro 5000 lexues.. Në një mjedis ku sporti nuk ishte gjithnjë i çiltër, “Sfidanti” ka fshikulluar,  ka dashuruar personazhet që kombinojnë mrekullisht vlerën humane me atë sportive, shpeshherë, ka prishur humorin e shefave, sidomos të atyre, që edhe pse e mësuan me vonesë derën e satdiumit apo të pallatit të sportit, tentojnë të na imponojnë idenë se ” sporti ka qënë i masave, por tani i ka dalë pronari”.  “Sfidanti”  nuk premton mrekullinë, por një stil tjetër që shperfill lajkën sportive, një stil që të jetë i besueshëm për lexuesit, për atë që i pulson zemra për garën e ndershme, larg sëmundjes së shekullit..lojës të prangosur brenda skedinës.

Në këto 23 vite, ekipi i “Sfidantit Sportiv” ka qënë modest, por ka bërë lojë në ekip, dhe, së bashku, kanë patur një stil të preferuar:  të luanin në sulm dhe jo në mbrojtje. Mirënjohja shkon për dy miq që nuk janë më, por që mbeten te gjallë për shpirtin sfidues: Gëzim Malo dhe Pandi Toçe, ose “xhaxhi Pandi”. Njeriu që fali jetën në Liqenin Artificial për të shpëtuar jetën e një fëmije. Vjollca dhe Kela, dy faqosëset, që i krahasonim me mesfushorët në një lojë me fantazi. Në fund, një pyetje sfiduese, edhe për hatër të emrit të gazetës: përse “Sfidanti” nuk do të jetë i prekshëm në letër, por do të veshë lëkurën e kohës..botimin online? Stili i ndryshueshëm i kohës, ka ndryshuar edhe stilin e leximit: dikur lexuesit ndiqnin gazetat, tani janë gazetat që ndjekin lexuesin…nëpërmjet celularit.

Gëzim Sinemati