Trimëri në Europë; Partizani i Lerdës, ai i Tiranës, apo i Tiraspolit?!

Partizani është larguar në mënyrën thuajse më dinjitoze të mundshme nga Europa, edhe pse fitoren e vetme këtë sezon nuk e gjeti dot. Ashtu si dikur Tirana ndaj Nacionalit të Bukureshtit apo Ferencvaroshit, si Skënderbeu ndaj BATE-s së Borisovit apo Çernomorecit të Odesës, edhe të kuqtë kryeqytetas “flirtuan” me kualifikimin, duke mos e arritur për pak.

Një barazim 1-1 në fushën e Sherifit të Tiraspolit nuk vlejti për shkak të humbjes 0-1 të duelit të parë në “Selman Stërmasi”, veçse trajneri Franko Lerda dhe skuadra e tij nuk kapitulluan siç u mendua se do të bënin. Jasir Asani i kaloi në avantazh në pjesën e parë, dhe një gol i dyshimtë pas pushimit i eleminoi. Nuk patën faj dyshuesit, pasi në Tiranë u luajt keq, ndërsa atmosfera te kampionët e Shqipërisë nuk ishte aspak e mirë, me sherre, nerva dhe përjashtim nga ana e trajnerit të … ndihmësave të tij.

Për fat, taktikisht Lerda mori notë “kaluese” madje “të mirë”, siç ndodhi edhe në ndeshjet ndaj Karabakut, dhe ky Partizan mund të thuhet se jep shpresë për të ardhmen. Me kujdes dhe profesionalizëm mund të arrihet niveli i Skënderbeut që hyri dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Me gati 1 milionë euro të fituara edhe pa asnjë kualifikim, Partizanit i mbetet të menaxhojë mirë situatën e brendshme, të shpëtojë stolin, por edhe të qetësojë trajnerin, sepse nuk mund të ketë projekt serioz me ndryshime të shpeshta.

Sfidanti.al